
Kosova dhe Italia kanë përmbyllur procedurat për përditësimin e marrëveshjes për njohjen reciproke dhe konvertimin e patentës së shoferit, duke lehtësuar procedurat për qytetarët kosovarë që jetojnë në Itali, njoftoi Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano.
Në njoftimin e tyre të përbashkët thuhet se përditësimi i marrëveshjes mundëson përfshirjen edhe të modelit të ri të patentë-shoferit të Republikës së Kosovës, i cili është në përdorim që nga viti 2024.
Ndryshimet e dakorduara do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Ambasada dhe Konsullata kanë vlerësuar se ky është një zhvillim i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë si dhe në përmirësimin e shërbimeve për diasporën kosovare.



