Sindikata e sektorit privat: Ende ka shumë punëtorë që marrin nga 232 euro, shpërfillet paga minimale

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, reagoi rreptë ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2024 është 598 euro.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi tha se kjo është një përpjekje për të mashtruar opinionin, ndërsa theksoi se mijëra punëtorë kanë braktisur vendin, për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të vështira të punës.
“Më vjen keq që ministri Murati bie në atë nivel. Ai është ministri im i Kosovës, por me deklaratat që del ai dhe i thotë në opinion, faktikisht, unë po them, më vjen turp. Në vitin 2024 kanë ikur 106 mijë punëtorë dhe më nuk janë në vendin e tyre për shkak të pagave, të sigurisë dhe mosrespektimit të kushteve të sektorit privat. Asnjë lëvizje për punëtorët e sektorit privat nuk e ka bërë, e ka humbur orientimin, nuk e di se çka është duke bërë vërtet dhe thotë ndonjë lajm sa për të hallakatur njerëzit të merren me të një javë ose dy”, tha Azemi.
Sipas tij, qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për përmirësimin e pozitës së punëtorëve në sektorin privat.
“Faktikisht, punëtorët e sektorit privat është normale që e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Kemi punëtorë që me vendimet e qeverisë marrin 232 euro. Ky ministër nuk intervenon, nxjerr vendime të tjera dhe thotë se po shkoj krahas pagës minimale. A ka më keq se veteranët e luftës me 170 euro?! Është tepër shqetësuese”, tha ai.
Azemi përmendi raste të shumta, kur punëtorët paguhen nën pagën minimale, përfshirë edhe punëtorët në Universitetin e Prishtinës.
Ai kritikoi ministrin në detyrë Murati për moszbatim të vendimeve që vetë i ka nxjerrë dhe kërkoi transparencë dhe përgjegjësi.
“Kjo listë e dërguar Inspektoratit të Punës është vetëm për disa vendpunime, ku punëtorët marrin pagën nën pagën minimale: pagë 232 euro dhe 292 euro. Hiq më larg se në Universitetin e Prishtinës janë 400 punëtorë që sot janë duke marrë pagë të jashtëligjshme dhe përderisa ky nxjerr vendim për paga më të mëdha 100 për qind, në anën tjetër duhet ta njoftojmë opinionin pse këto vendime të tij nuk zbatohen dhe për moszbatim fajtor është ai, që e ka nxjerrë këtë vendim dhe nuk po e respekton”, tha për EO, Azemi.