BallinaLajme

“E kemi paguar një çmim”: Konjufca pranon se gjuha polarizuese e Kurtit prodhoi pasoja për VV-në

Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova vazhdon të mbetet pa Kuvend të konstituuar, ndërkohë që Vetëvendosje, si forca e parë politike e dalë nga zgjedhjet, vazhdon të mbetet pa elementin themelor të çdo demokracie funksionale – shumicën parlamentare. Për anëtarin e kësaj partie, Glauk Konjuca, retorika e ashpër dhe polarizuese e tyre, ka bërë që VV-ja ta “paguaj një çmim.”

Ish-kryetari i Kuvendit, në një intervistë të dhënë dje për ATV, pranoi se retorika e përdorur gjatë fushatës nga Kurti ka sjellë pasoja për ta. Me një ton të qetë, por me një deklaratë që përçoi pendese, Konjufca tha: “Mendoj që e kemi paguar një çmim për këtë – ç’është e vërteta.”

Në epiqendër të kësaj kostoje politike që përmend Konjufca është, pa dyshim, Lidhja Demokratike e Kosovës. Gjatë gjithë fushatës elektorale – dhe madje edhe pas saj – Kurti, e polarizoi skajshmërisht skenën politike me një diskurs të vrazhdë, të cilin krerët e partive tjera e përshkruan në vazhdimësi si degradues dhe fyes.

Partitë rivale u etiketuan si “hajvanatë”, bashkëpunëtorë të Serbisë, ndërkohë që LDK-ja në veçanti, u shënjestrua me një gjuhë të paprecdentë nga Kurti. 

Kjo gjuhë e konfrontimit të skajshëm rezultoi të jetë një bumerang politik, me LDK-në që refuzoi në mënyrë kategorike çdo mundësi për një koalicion me VV-në, përkundër lutjeve të shumta nga Kurti pas rezultatit zgjedhor ndaj 9 shkurtit.

Në mes të një sërë deklaratash dhe postimesh publike ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ritheksonte refuzimin e pakompromis të bashkëpunimit me VV-në, në një nga postimet ai i referohej “moçalit të madh të pështymave”, që, sipas tij, e kanë dehumanizuar diskursin politik në vend:

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim.

Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë.

Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës”, kishte shkruar Abdixhiku.

Kujtojmë se nesër pritet që Kuvendi i Kosovës të mblidhet për të 32-tën herë, në përpjekje për t’u konstituuar. Megjithatë, partitë politike vazhdojnë të jenë të barrikaduara në pozicionet e tyre: opozita refuzon kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa Vetëvendosje nuk tërhiqet nga kjo zgjedhje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button