Agim Veliu: Renditja e LDK-së në vendin e tretë është përgjegjësi e Abdixhikut dhe Osmanit, u shpërfillën paralajmërimet

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë se përgjegjësia politike bie mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin për renditjen e kësaj partie në vendin e tretë. 

Në një shkrim në Facebook, Veliu ka thënë se kjo ishte larg pritjeve që ky lidership i krijoi gjatë fushatës zgjedhore. 

“U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.

Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.

Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.

LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete”, ka shkruar ai.

“Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.

Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre”, ka thënë tutje Veliu.

Artikuj të tjerë

Back to top button