Aksion në 26 auto-parkingje në Prizren e Suharekë, konstatohen shkelje të ndryshme

Inspektorati Qendror i Punës ka realizuar një aksion të përbashkët inspektues në komunat e Prizrenit dhe Suharekës, në bashkëpunim me disa institucione të tjera të vendit.
Në aksion kanë marrë pjesë Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Inspektorati Qendror i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (IQMINT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit, inspektimet janë zhvilluar në gjithsej 26 auto-parkingje, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe evidentimit të parregullsive në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet përkatëse, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërinstitucional për forcimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe krijimin e një ambienti të sigurt e të ligjshëm të punës.



