Aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ndërtime të kundërligjshme në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërtim pa leje dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.

“H.M. dhe A.D., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i KPRK-së.”

Kështu thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila bën të ditur se ndaj N.B. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Ndërtimi pa leje”, ndërsa ndaj A.H. për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

“Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me dyshimet për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore.”, thuhet tutje në njoftim.

Thuhet në njoftimin e Prokurorisë se H.M., në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë pranë Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Suharekës, dhe A.D., në cilësinë e Drejtorit të Inspekcioneve, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive.

“Edhe pse investitori ishte urdhëruar që t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk është kryer brenda afatit të përcaktuar.”, thuhet në komunikatë.

Kështu thuhet në njoftim, ku theksohet se gjatë inspektimit të mëvonshëm gjendja e objektit nuk është pasqyruar në mënyrë reale.

“Ndërsa, gjatë inspektimit të mëvonshëm, gjendja e objektit nuk është pasqyruar në mënyrë reale, duke mos u evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.”, ka shkruar Sistemi Prokurorial.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, investitori N.B. dyshohet se objektin e ka ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.

“Për objektin ishte lejuar ndërtimi me etazhitet B+P+2, ndërsa, sipas aktakuzës, objekti është realizuar me B+P+3, si dhe janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.”, thuhet në njoftim.

Thuhet në njoftim se këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.

Ndërkaq, A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, akuzohet për punime ndërtimore në kundërshtim me kushtet e lejes.

“A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore ‘B.P.’, e cila ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt, ka kryer punime ndërtimore në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.”

Kështu thuhet në njoftimin e Prokurorisë, ndërsa prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Artikuj të tjerë

Back to top button