
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C &E”, për disa vepra penale që lidhen me prokurimin publik dhe keqpërdorimin e detyrës
Sipas Prokurorisë, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, dhe A.G., zyrtar në këtë kompani, dyshohen se gjatë vitit 2023 kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
Aktakuza pretendon se ata kanë krijuar kushte në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, në mënyrë që tenderi “Furnizimi me kamionë kompaktorë dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Eko Regjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, t’i jepej kompanisë “D.C & E”
Sipas Prokurorisë, nga këto veprime buxhetit të KRM “Eko Regjioni” i është shkaktuar dëm prej 233 mijë e 685 euro e 37 centë.
B.Sh. dhe A.G. akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.Ndërkaq, R.Z. akuzohet për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik.
“Sipas aktakuzës, R.Z. dyshohet se ua kishte paguar shpenzimet e një udhëtimi jashtë Kosovës B.Sh. dhe A.G., me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe ndikimit në dhënien e tenderit.Prokuroria pretendon se paraprakisht ishte arritur një marrëveshje e kundërligjshme dhe se specifikat teknike të tenderit ishin përshtatur”.
Në njoftim përmendet gjithashtu edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.



