
Mbrëmjen e së mërkurës, një veturë ka shpërthyer në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan, ku kanë mbetur të lënduar dy persona.
Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një mjet shpërthyes.
Në automjet ndodheshin një vozitës rreth 40 vjeç dhe një pasagjere 24-vjeçare
Si pasojë e shpërthimit, vozitësi ka pësuar lëndime të rënda dhe fillimisht është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ndërsa më pas, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pasagjerja ka pësuar lëndime më të lehta.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet emergjente dhe prokurori kujdestar. Policia ka bërë të ditur se motivet e rastit ende nuk dihen, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

