Detajet ekskluzive nga dosja për laboratorin e drogës: Haxhi Rexhaj kultivonte kanabis dhe bënte shitblerje

Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 42-vjeçarit, Haxhi Rexhajt nga Jabllanica e Vogël e Pejës.
Ai dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike, pas zbulimit të një sasie të madhe kanabisi dhe një laborator të avancuar prodhimi.
Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, Prokuroria argumenton se ekzistojnë tri rreziqe të mëdha që e bëjnë të domosdoshëm mbajtjen e tij në paraburgim.
Prokuroria thekson se ka rrezik real që Rexhaj të arratiset nëse lihet i lirë.
Në kërkesën e siguruar nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresë Tërshani, thuhet se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij u gjetën bimë kanabisi të mbjella, një laborator i sofistikuar për prodhimin e narkotikëve, sistem i avancuar ujitjeje dhe furnizimi me rrymë, si dhe një armë zjarri.
“Nga provat e mbledhura deri më tani rezulton se gjatë bastisjes së realizuar në bazë të urdhëresës së gjykatës, të pandehurit janë gjetur duke sekuestruar bimë të mbjella të kanabisit, laborator i sofistikuar për kultivimin dhe prodhimin e narkotikëve, po ashtu sistem i avancuar i ujitjes dhe i rrymës si dhe një armë zjarri, që të gjitha këto tregojnë për një veprimtari të organizuar dhe të mirë strukturuar kriminale. Duke pasur parasysh peshën e veprave penale dhe dënimin e mundshëm që mund t’i shqiptohet, ekziston rreziku real se i pandehuri, në liri, do të tentojë t’i shmanget procedurës penale dhe të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale”.
Prokuroria vlerëson se hetimet janë ende në fazë të hershme dhe ka nevojë për veprime të tjera hetimore, si analizimi i provave të sekuestruara dhe identifikimi i personave të tjerë të përfshirë.
“Po ashtu, ekziston rreziku real se i pandehuri, nëse lihet në liri, mund të ndikojë në provat dhe në dëshmitarë. Në këtë fazë të procedurës penale hetimet janë ende në zhvillim dhe ekziston nevoja për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore, përfshirë analizimin e provave të sekuestruara, identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe sigurimin e dëshmive të tjera relevante”, thotë Prokuroria.
Ajo gjithashtu nënvizon se rasti nuk është një veprim i izoluar, por një veprimtari kriminale e vazhdueshme dhe e organizuar.
Zbulimi i laboratorit të sofistikuar dhe i bimëve të mbjella tregon se i dyshuari ka qenë i angazhuar prej kohësh në këtë aktivitet.
Përveç kësaj, prania e armës zjarri pa leje tregon për një rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Kjo rrit mundësinë që ai, nëse lihet i lirë, të vazhdojë me kryerjen e veprave të njëjta ose të ngjashme, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe rendin juridik”, thekson Prokuroria.
Ndërkaq, në arsyetim thuhet se Rexhaj dyshohej se kultivonte kanabis sativa në garazhin dhe në çatinë e shtëpisë së tij, si dhe merrej me shit-blerje të narkotikëve.
“Pas vlerësimit të Kallëzimit dhe provave të listuara të bashkangjitura, kemi vlerësuar se janë prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale në fjalë, andaj me Aktvendim kemi filluar hetimet zyrtare kundër të njëjtit për veprat penale në fjalë”, thuhet në kërkesën e siguruar nga Klan Kosova.
Prokuroria ka vlerësuar se ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar dhe ka nisur hetimet zyrtare ndaj Haxhi Rexhajt për dy veprat penale në fjalë.
I dyshuari ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit policor, ndërsa Gjykata Themelore në Pejë pritet të vendosë së shpejti për kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.



