Disa shkolla në Prishtinë “Iliria” dhe Faik Konica” mbesin pa ngrohje, drejtori i Arsimit fajëson qeverinë

Disa shkolla në Prishtinë po përballen me mungesë të ngrohjes, në një kohë kur temperaturat kanë filluar të bien.

Në mesin e institucioneve arsimore që po përballen me këtë problem janë edhe shkollat “Iliria” dhe “Faik Konica” në kryeqytet, ku disa prindër edhe kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje, pasi të njëjtëve iu është kërkuar që t’i veshin me më shumë rroba fëmijët, apo edhe kanë mbajtur mësim me orë të shkurtuara.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili ka deklaruar se sistemet e ngrohjes në disa shkolla dhe çerdhe kanë mbetur jofunksionale për shkak të bllokimit të mjeteve buxhetore dhe ndërprerjes së punimeve nga operatori ekonomik.

“Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për përfundimin e punimeve dhe funksionalizimin e ngrohjes në shkollat tona, bllokada e qeverisë ndaj Drejtorisë së Arsimit dhe Komunës së Prishtinës po vazhdon”, ka shkruar Elshani në Facebook.

Sipas tij, bllokimi i mjeteve buxhetore nga Ministria e Financave, së bashku me ndërprerjen e punimeve nga operatori ekonomik, ka bërë që sistemet e ngrohjes në disa institucione arsimore të mbeten jashtë funksionit.

Elshani i ka kërkuar Qeverisë zhbllokimin e menjëhershëm të mjeteve buxhetore, ndërsa operatorit ekonomik përgjegjësi dhe angazhim për përfundimin e punimeve.

“Betejat politike, mosmarrëveshjet financiare dhe procedurat administrative nuk mund të jenë më të rëndësishme se mbarëvajtja e procesit mësimor, shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë”, ka shkruar ai.

Lidhur me këtë çështje Ministria e Financave nuk është deklaruar lidhur me rastin

Ndërkohë, as drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë sqarime shtesë.

Artikuj të tjerë

Back to top button