Ekipa në terren e “KRU “Mitrovica” sulmohet me armë zjarri pasi kishin shkuar për çkqyje të ujit në shtëpinë e një qytetari

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj ekipit të saj në terren, duke bërë të ditur se incidenti ndodhi gjatë një aksioni për çkyçjen e një konsumatori nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve të papaguara.

Në reagimin e kompanisë thuhet se konsumatori kishte qenë i furnizuar rregullisht me ujë, por nuk i kishte përmbushur obligimet financiare ndaj KRU “Mitrovica”, pavarësisht njoftimeve, paralajmërimeve dhe mundësisë për të lidhur marrëveshje për shlyerjen e borxhit.

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Sipas KRU “Mitrovica”, nga incidenti nuk ka persona të lënduar, megjithatë rasti është cilësuar si tejet serioz dhe i papranueshëm.

Kompania ka dënuar ashpër çdo formë të dhunës, kërcënimit apo pengimit të punonjësve gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke theksuar se siguria e stafit duhet të jetë e pacenueshme.

Njëkohësisht, KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, të identifikojnë përgjegjësit dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në fund, kompania ka apeluar te qytetarët që çdo çështje që lidhet me faturat apo borxhet për shërbimet e ujësjellësit ta zgjidhin përmes rrugëve institucionale, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje dhe nuk do të tolerohet ndaj punonjësve që ushtrojnë detyrën e tyre.

Artikuj të tjerë

Back to top button