
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka mbajtur Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor, ku janë zgjedhur organet e reja drejtuese të partisë.
Me shumicë votash, Emri Abrashi është zgjedhur udhëheqës i AKR-së për katër vitet e ardhshme. Ai ka theksuar se ky mandat përbën një përgjegjësi të madhe ndaj anëtarëve të partisë dhe qytetarëve të Kosovës.
Në deklarimin e tij pas zgjedhjes, Abrashi ka bërë të ditur se AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synim ofrimin e një alternative politike moderne dhe të besueshme.
Ai ka shprehur mirënjohje për Presidentin Emeritus të AKR-së, Behgjet Pacolli, për mbështetjen dhe besimin në procesin e tranzicionit dhe drejtimit të ri të partisë.
Po ashtu, janë uruar edhe strukturat e reja drejtuese, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët dhe anëtarët e kryesisë, duke u kërkuar angazhim në përmbushjen e detyrave të ardhshme.
Abrashi theksoi se rrugëtimi i ri i AKR-së nuk do të jetë i lehtë, por shprehu bindjen se me bashkëpunim dhe përkushtim partia do të rikthehet fuqishëm në skenën politike të vendit.



