Erërat e forta shkatërrojnë vreshtin e fermerit nga Rahoveci

Erërat e fuqishme që kanë përfshirë zonën e Rahovecit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në një vresht të fermerit Edon Çanta.
Si pasojë e fuqisë së erës, konstrukcioni mbajtës i hardhive është rrëzuar pothuajse tërësisht, duke dëmtuar një pjesë të madhe të parcelës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë rreshta të shumtë hardhish të shtrira në tokë, ndërsa shtyllat dhe telat mbajtës janë rrëzuar nga stuhia.
Dëmet e shkaktuara rrezikojnë prodhimin e këtij sezoni, ndërsa rikthimi i vreshtit në gjendjen e mëparshme pritet të kërkojë kohë dhe investime të konsiderueshme.
Fermerët e zonës kanë shprehur shqetësim për ndikimin e kushteve të pafavorshme atmosferike në bujqësi, duke theksuar se fenomene të tilla po shkaktojnë humbje të mëdha për prodhuesit vendorë.



