
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Fatmir Sheholli, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
“E ndiej veten të pafajshëm”, deklaroi Sheholli.
Deklarimin rreth fajësisë, Sheholli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton TandemPress.
Pas deklarimit të të akuzuarit Sheholli, kryetari i trupit gjykues Avni Syla njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij- avokatin Mentor Neziri se brenda 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Por, avokati Neziri deklaroi se në pajtim me klientin e tij, heqin dorë nga e drejta për kërkesë për hudhje të aktakuzës, duke marrë parasysh faktin se Sheholli ndodhet në paraburgim dhe ka shumë prova personale që do të administrohen.
“Gjykatës i propozojmë që të aprovojë kërkesën tonë dhe të vazhdojmë menjëherë me shqyrtim gjyqësor sa më shpejtë që Gjykata ka mundësi, të fillojë me shqyrtim gjyqësor”, tha avokati.
Më pas, gjyqtari Syla e konsideroi të mbyllur seancën fillestare dhe deklaroi se të gjitha palët do të njoftohen me kohë për caktimin e seancës së ardhshme, për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor.



