
Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, lidhur me rastin e ndodhur dje më datë 10 gusht 2026 në Gjakovë, ku disa persona janë përfshirë në një rrahje, si pasojë e një mosmarrëveshjeje, ndërsa një person është plagosur me armë zjarri. Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë rast.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre (3) persona të dyshuar me inicialet H.D., A.D. dhe E.G., në kohëzgjatje prej dyzet e tetë (48) orësh, si dhe një (1) i mitur është ndaluar në kohëzgjatje prej njëzet e katër (24) orësh.
Lidhur me këtë rast është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe është parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) të pandehurve me inicialet H.D., A.D. dhe E.G.. Ndaj të pandehurit me inicialet H.D. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurve me inicialet A.D. dhe E.G. për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 par.2 të KPRK-së.
Ndërsa, ndaj të miturit, i cili gjendet në ndalim prej 24 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 par.2 të KPRK-së, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante.



