
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve me inicialet S.S. dhe J.N., të dyshuar për fajde, ndërsa S.S. dyshohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas Prokurorisë, ndaj S.S. dhe J.N. është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec.
Dyshimet lidhen me një rast të ndodhur në Rahovec, nga gushti i vitit 2026 e në vazhdimësi. Prokuroria thotë se të pandehurit, në bashkëkryerje, dyshohet se i kanë dhënë hua një personi në gjendje të rëndë financiare, duke i kërkuar kthimin e një shume dukshëm më të madhe se borxhi i marrë.
Sipas kërkesës për paraburgim, i dëmtuari E.A. kishte marrë nga S.S. shumën prej 1 mijë eurosh. Fillimisht, atij i ishte kërkuar që të kthente 3 mijë euro, më pas 5 mijë euro dhe në fund 8 mijë euro.
Prokuroria pretendon se E.A. ishte kërcënuar se, nëse nuk i kthente paratë, duhej t’i dorëzonte veturën e familjes së tij.
Më 24 shtator, kur E.A. ishte takuar me S.S. për t’ia dorëzuar shumën prej 8 mijë eurosh, në takim ishte paraqitur edhe J.N. Sipas Prokurorisë, J.N. i kishte thënë të dëmtuarit se 500 euro nga borxhi ishin të tij dhe se shuma për t’u paguar ishte 8 mijë euro, pasi kamata ishte rritur.
Pas dorëzimit të parave, të dyshuarit janë arrestuar nga zyrtarët policorë, në kuadër të masave të veçanta hetimore të ndërmarra nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria dyshon se S.S. dhe J.N., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në shtëpinë e S.S. janë gjetur dhe sekuestruar nëntë fishekë të kalibrit 7.62×39 mm. Sipas Prokurorisë, për këta fishekë i dyshuari nuk posedonte leje valide nga organi kompetent.
Për këtë rast, S.S. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Të dyshuarit ndodhen në ndalim prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga 24 shtatori 2026.



