Jakup Krasniqi flet nga Haga: Besoj te e vërteta, lufta jonë ishte e drejtë

Nga paraburgimi në Hagë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për RTK-në, shpreh bindjen se aktgjykimi i 16 shtatorit do të dëshmojë, sipas tij, pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ai flet edhe për procesin gjyqësor, situatën politike në Kosovë, familjen dhe mesazhin që ua përcjell brezave të rinj.

Si historian dhe si një njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar lirisë dhe shtetndërtimit, unë e shoh këtë proces me qetësi të plotë. Nuk kam asnjë dyshim se në fund, kur të peshohen të gjitha faktet, drejtësia do të triumfojë dhe pastërtia e luftës sonë çlirimtare do të konfirmohet plotësisht. Kam pasur fatin dhe nderin e jashtëzakonshëm të jem zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Armët e mia kanë qenë LAPSI dhe FJALA, përmes tyre kam prezantuar të vërtetën dhe vuajtjet e popullit tim para botës demokratike. Besoj fuqishëm se kyproces do të shërbejë për të vërtetuar para historisë se lufta jonë është një përpjekje e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme për liri.

Që nga fillimi, kam bashkëpunuar plotësisht me drejtësinë, duke respektuar çdo vendim të gjykatës me durim dhe seriozitet. Si njeri i shkencës dhe i shërbimit publik, besimin tim e kam vendosur tek dokumentet dhe provat e pakontestueshme.

Në këtë pikë, dëshiroj të shpreh një falënderim të thellë publik për ekipin tim mbrojtës. Me profesionalizëm të lartë, integritet dhe një përkushtim të pakursyer njerëzor e profesional, ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të ndriçuar çdo fakt dhe për të shpërfaqur të vërtetën tonë para kësaj gjykate. Falë kësaj pune voluminoze dhe dinjitoze, ndërgjegjja ime dhe pastërtia e jetës sime publike mbeten krejtësisht të patrazuara.

Ajo që më bën më së shumti optimist dhe më jep forcën më të madhe, nuk është fati im personal, por fakti që Kosova sot është një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ku gjeneratat e ardhshme mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre me liri dhe dinjitet.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kujtohet ashtu siç ishte në të vërtetë: një kryengritje popullore e lindur nga një popull i shtypur dhe një projekt sublim për lirinë e dinjitetin njerëzor. Ajo nuk ishte zgjedhje apo dëshirë e jonë për luftë, por ishte rruga e vetme e mbetur për të shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë. Dua që historia ta shënojë atë si një luftë që u rreshtua përkrah vlerave më të larta të qytetërimit perëndimor dhe botës demokratike. Ajo duhet të kujtohet me krenari, sepse pa atë sakrificë kolektive, sot nuk do të kishim as lirinë dhe as Republikën e Kosovës!

Kam besim se dëshmitë e dokumentuara, historia dhe memoria publike do të vlerësohen me kujdes dhe në mënyrë të drejtë. Prandaj, pavarësisht proceseve gjyqësore në vazhdim në Hagë, historia nuk mundet dhe nuk duhet ta ridifinojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një organizatë kriminale apo terroriste.UÇK-ja ishte një forcë çlirimtare që buronte natyrshëm nga lufta e popullit për liri, dinjitet dhe për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre, së bashku me të gjithë qytetarët e tjerë pa dallime etnike, race apo feje.

Mesazhi im për të rinjtë është i thjeshtë: duajeni dhe mbroni Kosovën. Liria që gëzoni sot nuk ka ardhur falas; ajo është paguar me çmimin më të lartë njerëzor, me sakrificën e shumë brezave.

Liria është si ajri, vlerën e saj e kupton plotësisht vetëm atëherë kur të mungon. Ju jeni gjenerata e lirisë dhe kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Prandaj, kjo liri tani duhet të mbrohet përmes arsimimit, përgjegjësisë qytetare, respektit për ligjin dhe shërbimit ndaj të mirës publike.

Artikuj të tjerë

Back to top button