Kosova rezulton të jetë ndër vendet ku nafta rëndon më së shumti në xhepin e qytetarëve, kur çmimi i karburantit krahasohet me fuqinë blerëse.
Sipas një analize të “Monitor”, që kombinon çmimet e publikuara nga Global Petrol Prices me të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të FMN-së për vitin 2026, Kosova renditet e dyta më e shtrenjtë në Evropë në këtë aspekt.
Një litër naftë në Kosovë kushton rreth 1.90 euro.Megjithëse ky çmim është më i ulët se në Shqipëri apo disa vende të pasura evropiane, të ardhurat më të ulëta bëjnë që pesha reale për qytetarin të jetë shumë më e madhe.
Sipas analizës, për të blerë një litër naftë në Kosovë nevojiten rreth 3.1% e të ardhurave ditore për frymë, të matura sipas fuqisë blerëse.Vetëm Shqipëria renditet më keq, me rreth 3.56% të të ardhurave ditore për një litër naftë.Në Shqipëri, një litër naftë ka arritur në 229 lekë, ose rreth 2.46 euro, duke e renditur vendin të tretin në Evropë edhe për nga çmimi nominal.Në anën tjetër, në Danimarkë, ku nafta kushton rreth 2.60 euro për litër, për blerjen e saj nevojiten vetëm rreth 1.06% e të ardhurave ditore.Në Norvegji kjo përqindje bie në rreth 0.8%.Mesatarja evropiane është rreth 1.36% e të ardhurave ditore për një litër naftë, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian rreth 1.14%.Në rajon, pas Shqipërisë dhe Kosovës, renditen Bosnja e Hercegovina me rreth 2.66% dhe Serbia me 2.09%.Më të favorshme në raport me të ardhurat rezultojnë Maqedonia e Veriut me 1.89% dhe Mali i Zi me 1.88%.Kjo do të thotë se, megjithëse Kosova nuk ka çmimin më të lartë nominal të naftës në Evropë, për qytetarin kosovar furnizimi me karburant është ndër më të kushtueshmit kur merret parasysh niveli i të ardhurave.


