
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk synon të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke vlerësuar se kjo është një detyrë kryesisht ceremoniale dhe se, sipas Kushtetutës, i takon partisë së parë që të propozojë kandidatin për këtë post. Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të martën, Abdixhiku ka bërë të ditur se për çështjet e tjera ekziston ende hapësirë kohore për diskutime dhe arritje të një marrëveshjeje.
“Nëse deri më 6 gusht nuk kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë procesi i konstituimit. LDK-ja nuk ka interes për pozitën e kryetarit të Kuvendit, pasi kjo është një figurë ceremoniale që duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë, ashtu siç përcaktohet edhe me Kushtetutë. Për çështjet e tjera kemi afat shtesë. Sa më shpejt të gjejmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si të mbarë takimin e zhvilluar të martën, m[ 04.08.2026, me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke bërë të ditur se diskutimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku tha se LDK-ja ka hyrë në këto bisedime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja. “Ishte takim i mirë, i mbarë. I trajtuam çështjet e ndryshimeve programore, politike dhe të ardhmeve strategjike. Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”- deklaroi Abdixhiku. Sipas tij, gjatë takimit janë trajtuar çështje programore, politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se për krijimin e institucioneve nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton balancë demokratike dhe përfaqësim të LDK-së. “Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së bëri të ditur se takimet me Kurtin do të vazhdojnë, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. “Nëse nuk bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe punë. Me çdo çmim duhet t’i shmangim zgjedhjet e reja”- tha Abdixhiku. Ai shtoi se, në mungesë të një marrëveshjeje, LDK-ja ka kërkuar vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.



