
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se kësaj radhe nuk dëshiron që institucionet të krijohen pa marrëveshje politike, duke theksuar se ka ndryshuar qasjen ndaj partive opozitare.
Ai kujtoi se në pranverë ishte kritikuar nga LDK-ja për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit pa konsultime, ndërsa tani, sipas tij, po zhvillon takime për të arritur dakordim.
Kurti tha se ka mbajtur shënim të gjitha vërejtjet dhe kërkesat e opozitës, ndërsa shtoi se tani vetë po merr iniciativën për takime.
“Takimet me PDK-në e AAK-në do të ishin lajm, ndërsa me LDK-në lajm do të jetë vetëm nëse arrijmë marrëveshje”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, vendi duhet të ecë përpara sa më shpejt dhe duhet të shmanget mbajtja e një pale zgjedhje të reja, të cilat i cilësoi të panevojshme dhe të paarsyeshme.
Ai theksoi se vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryeministrit në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ftoi edhe kryetarin e AAK-së në detyrë, Ardian Gjinin, për takim, duke thënë se komunikimi mes partive është thelbësor.



