
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, sot vizituan Institutin për Mjekësi Ligjore (IML).
Pas përfundimit të procesit të gërmimeve, të cilat kishin nisur saktësisht një muaj më parë, në IML janë bartur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, të gjetura në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.
“Jemi informuar që prej mbetjeve mortore në Jabukë është marrë edhe ADN-ja, për t’u bërë identifikimi. Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë pra, të forenzikës të cilët i kemi parë vet duke u angazhuar në Kalludër të Zubin Potokut”, tha Kurti
Që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime, e vetëm këtë vit nga 17 sosh janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë, përveçse i jep fund pritjes së familjeve, me ankth e vuajtje, i hapë rrugë kërkimit të drejtësisë.
Së fundi, investimi i mbi 814 mijë euro, ka mundësuar modernizimin e infrastrukturës së IML-së, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit dhe krijimin e kushteve më të mira per ofrimin e shërbimeve mjeko ligjore.
Janë rehabilituar dhe modernizuar salla e Autopsisë, Laboratorët e Toksikologjisë, Histopatologjisë dhe Antropologjisë, është krijuar një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive si dhe janë bërë investime në hapësirat për ekzaminime klinike mjeko ligjore.
“Bashkë me zëvendëskryeministren dhe me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ne jemi të interesuar që ta rrisim performancën e IML-së, edhe IML-ja çdo vit të ngritët për nga cilësia dhe rezultatet e punës dhe të marrim edhe vlerësimet më të larta ndërkombëtare”, shtoi ai.



