Kuvendi mblidhet për konstituim, cfarë u diskutua deri tani?

E premtja e 7 gushtit, shënon afatin e fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Pas konstituimit të tij, nis automatikisht afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës.

Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, Lëvizja Vetëvendosje u rendit e para me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës fitoi 19.44% të votave dhe 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 16.69% dhe 18 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi 6.74% të votave dhe shtatë ulëse.

Nga 20 vendet e garantuara për komunitetet joshumicë, nëntë mandate i takojnë Listës Serbe dhe një Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë siguruar Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjve për Integrim (PSA), Koalicioni VAKAT, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Bashkuar e Goranëve.

Ministrja në detyrë e drejtësisë Donika Gërvalla, para nisjes së seancës për konstitutim të Kuvendit u shpreh se do përpiqen të dalin “nga një situatë që nuk i konvenon askujt”. Ajo u shpreh se është plot optimizëm që kjo legjislaturë do jetë e “zhvillimit të madh ekonomik, e reformës së thellë në drejtësi dhe e zhvillimeve të mira në vendin tonë”, tha Gërvalla para mediave. Derisa, nuk është përgjigjur nëse ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu do propozohet sërish për kryetare të Kuvendit.

Artikuj të tjerë

Back to top button