Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Deklarata u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Deklarata u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa teksti i saj u harmonizua nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë seancës ka lexuar deklaratën, përmes së cilës Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”, tha ajo.

Përmes kësaj deklarate, Kuvendi shpreh shqetësim edhe për mungesën e transparencës dhe pretendimet për shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë, si dhe kundërshton përgjegjësinë që, mbi bazën e përfundimit për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, u është atribuuar secilit prej të akuzuarve.

Në deklaratë, Kuvendi u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Po ashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të përfshijë veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.

Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) erdhi si pasojë e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Aty theksohet edhe rëndësia e ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimi i saj me UÇK-në.

Gjithashtu, Kuvendi vlerëson se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi kishte pranuar themelimin e tyre.

Përmes deklaratës, Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.

Në përmbyllje të deklaratës, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare, si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e kërkuara.

Artikuj të tjerë

Lexo edhe për
Close
Back to top button