
Lidhja Demokratike e Kosovës, sot (30.07.2026) mbledh Kuvendin e jashtëzakonshëm në të cilin do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku. Ky kuvend është thirrur nga të pakënaqurit e kësaj partie me rezultatin zgjedhor të 7 qershorit, ku LDK u rikonfirmua për të tretën herë brenda 1 viti e gjysmë si parti e tretë në vend.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja garoi së bashku me presidenten e gjashtë të vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe mori 16.69% të votave apo 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas kësaj filluan kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut të cilat kulmuan me dorëzimin e nënshkrimeve të më shumë se 1/3 së delegatëve të Kuvendit të cilët kërkuan thirrjen e këtij organi të partisë për ta hedhur në votim shkarkimin e Abdixhikun nga pozita e kreut të partisë.
Pasi verifikimit të nënshkrimeve nga sekretariati i LDK-së, u vendos që Kuvendi të mbahet më 30.07.2026 me fillim nga ora 18:00. Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.
Kuvendi po mbahet në atmosferë përplasjesh të brendshme dhe akuzash brenda anëtarësisë për presione që pretendohet se vijnë nga nivelet e larta.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se Kuvendi i jashtëzakonshëm i kësaj partie është dëshmi e funksionimit të demokracisë së brendshme dhe mekanizmave statutorë të LDK-së. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se Kuvendi paraqet “demokracinë në veprim” brenda partisë. “Sot, Kuvendi i jashtëzakonshëm të LDK-së është praktikisht ‘demokracia në veprim’ brenda partisë. Thirrja e këtij Kuvendi është dëshmi se LDK-ja ka mekanizmat e saj statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, nga ky Kuvend LDK-ja do të dalë më e fortë dhe me synimin për t’u rikthyer si forca kryesore politike në Kosovë.
“Nga ky Kuvend do të dalim më të fortë për ta kthyer LDK-në si forcën kryesore politike në Kosovë. Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”- ka deklaruar ai. Hoti ka theksuar se punimet e Kuvendit do të zhvillohen në frymë demokratike, me debat të hapur dhe respekt të ndërsjellë. “Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin”.
“Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Hoti ka thënë se të gjithë do t’i nënshtrohen vendimeve që do të dalin nga Kuvendi. “Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës” – ka përfunduar Hoti.



