
Në fjalën përfundimtare për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj-Murselit, vëllai i saj Leonard Ademaj, ka bërë një deklarim emocional dhe të fuqishëm, duke kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Ai tha se për familjen Ademaj kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, por se kanë zgjedhur besimin te drejtësia në vend të zhgënjimit.
“I nderuar trup gjykues, por edhe të gjithë shqiptarët, e kanë të qartë një gjë: Naimi e ka organizuar këtë vrasje, duke e zgjedhur Granitin si ekzekutor. Në 22 kamera të sigurisë janë kapur Naimi, Kushtrimi dhe Graniti”, deklaroi ai.
Leonardi tha se nga ekzaminimi i telefonave është zbuluar edhe një mesazh i rëndë: “A kryhet nesër”.
Ai theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si mesazh për shoqërinë, duke kujtuar se që nga paslufta janë vrarë 59 gra.
“Është e rëndë të mendosh se një kriminel i kërkon një dajë dhe një nipi të vrasin gruan e tij. Është e qartë se kush e gjeti vrasësin, Naimi kërkoi të vritej Liridona”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, Leonard Ademaj tha se zinxhiri i krimit është i qartë:
“Pa Naimin nuk do të kishte Kushtrim, pa Kushtrimin nuk do të kishte Granit dhe pa Granitin nuk do të kishte vrasje.”
Ai foli edhe për fatin e dy fëmijëve të Liridonës, duke thënë se ata do të rriten me mallin për nënën e tyre dhe se drejtësia duhet të vihet në vend për ta.
“Vrasësit makabër duhet të marrin dënimin e merituar. Kërkojmë burgim të përjetshëm”, përfundoi ai



