
Mosdeklarimi i pasurisë brenda afateve ligjore u ka kushtuar me gjoba mbi 60 zyrtarëve publikë në vend. Ndaj tyre, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka shqiptuar masa ndëshkimore që arrijnë vlerën deri në 500 euro. Përderisa gjysma e këtyre gjobave tashmë janë shlyer, pjesa tjetër po trajtohet në procedurë të ankesave
Agjencia ka dërguar dhjetëra kallëzime penale në Prokurori për dyshime rreth fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë, duke e zhvendosur këtë çështje nga thjesht gjoba administrative në raste të rënda penale në fazën e shqyrtimit.
Mbi 60 zyrtarë publikë janë gjobitur nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor, ku gjysma e gjobave janë shlyer dhe pjesa tjetër është në procedurë ankesash. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nënvizon se vonesat lidhen me ndryshimet në pushtetin lokal.
“Kemi numër të madh të zyrtarëve nga Institucionet që kanë numrim më të madh të subjektit deklaruese siç është Policia, ATK, Doganat, poashtu kemi numër të madh siç e përmenda edhe nga niveli lokal”, tha Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Gjobat e shqiptuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, për vonesë në deklarimin e pasurisë arrijnë vlerën deri në 500 euro, duke u zbatuar si masë e prerë administrative në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Shumat e gjobave variojnë, janë 30 përqind e pagës varësisht nga shuma që kanë pranuar si pagë deri në 500 euro. Po them, ne nuk kemi qenë të lumtur fare që kemi qenë të detyruar ta kryejmë këtë proces, por është obligim ligjor zyrtar për ta kryer e pasurisë, e jo për ta mbikqyrur dhe në qoftëse shkelet ai obligim, pasojnë gjobat”, shtoi Buleshkaj.
Përveç gjobave administrative, procesi ka kaluar edhe në rrafshin penal. Agjencia ka dërguar dhjetëra kallëzime në Prokurori për raste që dyshohet se fshehën apo manipuluan pasurinë. Sipas udhëheqjes së APK-së, këto lëndë tani janë në duart e prokurorëve, nga të cilët pritet fjalë e fundit nëse këta zyrtarë do të përballen me gjyqin.


