
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj porteve të Ukrainës në Detin e Zi, duke vënë në rrezik eksportet e grurit dhe duke e bërë punën në zonat portuale një nga më të rrezikshmet në vend.Punonjësit e portit të Odesës tregojnë se sulmet me raketa dhe dronë janë bërë të përditshme. Svitlana Halçenko, përgjegjëse turni në një magazinë të portit, kujton momentin kur një raketë balistike ruse goditi vendin e saj të punës, duke vrarë kolegët vetëm pak metra larg saj.
Operatori i vinçit, partneri im, vdiq pesë metra larg meje. Shoferi mbeti në kabinë dhe humbi gjithashtu jetën”, rrëfen ajo. Edhe pse është plagosur dhe ende ka copëza predhash në trup, Svitlana vazhdon të punojë.Sipas administratës portuale të Ukrainës, vetëm gjatë muajit korrik Rusia kreu 57 sulme ndaj anijeve civile, 22 prej tyre në det, si dhe 67 goditje ndaj infrastrukturës portuale. Sulmet kanë dëmtuar terminale, anije tregtare dhe pajisje portuale, ndërsa trafiku detar është reduktuar ndjeshëm.
Situata është përkeqësuar edhe pas goditjes së anijes tregtare Golden Leo, në pronësi turke, e cila u sulmua me tre raketa pranë Odesës. Në sulm humbën jetën nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe një pilot ukrainas, ndërsa anija, e ngarkuar me misër ukrainas, u fundos pak ditë më vonë.Sindikata e Punëtorëve të Transportit Detar të Ukrainës paralajmëron se frika mes punonjësve është në nivele rekord.
Shumë veteranë të luftës na thonë se puna në port është më e frikshme sesa të jesh në vijën e frontit. Një raketë e lëshuar nga Krimea arrin për rreth një minutë dhe punëtorët nuk kanë kohë të strehohen,” tha kryetari i sindikatës, Oleg Grygoriuk.Edhe pse portet mbeten zyrtarisht të hapura, shumë kompani transporti po shmangin hyrjen në Ukrainë për shkak të rrezikut të lartë. Drejtuesit e sektorit paralajmërojnë se zinxhiri i furnizimit është bllokuar dhe eksportet po pësojnë goditje të fortë.
Koha është veçanërisht kritike, pasi Ukraina ndodhet në kulmin e sezonit të korrjes së grurit. Vendi është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit dhe misrit, ndërsa portet e rajonit të Odesës përbëjnë nyjën kryesore për dërgesat drejt tregjeve ndërkombëtare.Sipas kompanisë eksportuese Nibulon, bllokimi i korridorit detar gjatë kësaj vere ka penguar eksportin e rreth 500 deri në 700 mijë tonëve grurë dhe farërash vajore.
Ndërkohë, jeta në Odesë vazhdon mes alarmesh dhe shpërthimesh. Plazhet mbeten të mbushura me pushues, por rreziku është i pranishëm. Në fund të qershorit, një 26-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga copëza të një droni rus të rrëzuar, duke treguar se lufta po prek jo vetëm infrastrukturën strategjike, por edhe civilët që jetojnë pranë porteve të Detit të Zi.



