“Më 28 dhjetor festoni ju, jo ne”, Trafiku Urban i bën thirrje Kurtit dhe Muratit: Dilni të takohemi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me operatorët e ndërmarrjes së “Trafikut Urban” dhe privatë, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar pagën që iu është mohuar tash e sa muaj.

Rama,  së bashku me protestuesit, i bënë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por edhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, që t’i presin në takim,

Në fjalën e tij, Rama tha se kërkesat e tij për muaj të tërë janë injoruar nga Ministria e Financave.

“Faleminderit për punën që ka bërë Trafiku Urban deri tash po ashtu edhe sektori privatë përkundër faktit të vështirësive buxhetore tash e sa muaj që i kemi si rezultat i mosalokimit të mjeteve, të hyrave vetanake të kryeqytetit të cilat me Ligj të Buxhetit i dedikohen kryeqyteti. Janë të hyrat tona, vetanake të qytetarëve e të cilat në mënyrë jo ligjore mbahen peng këtu në Ministrinë e Financave duke u arsyetuar me arsyetime të kota e jo ligjore. Ne kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj Ministrit Hekuran Murati dhe tre zyrtarëve për mosveprim, pra nuk e kanë kryer punën e tyre profesionale. Edhe pas kërkesave të njëpasnjëshme për muaj të tërë, janë injoruar total. Kjo është sikur paratë e juaja që i keni në bankë me vendos mos me ua dhënë sepse iu ka tekë. Kjo është tentim me iu hedh hi syve”, tha Rama.

Derisa përfaqësuesi i “Trafikut Urban”, Elmi Gashi ka bërë një lutje interesante. Ai tha se vetëm 1 janari do të festohet, e jo edhe 28 dhjetori, dita e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pos tjerash, ai u kërkoi qytetarëve që t’i çelin sytë para kutive të votimit.

“Kërkojë nga zyrtarët me na prit e me pasë një takim për ta hedhur të drejtën në sy. Ftojë qytetarët e Kosovës që të festojnë veç me 1 janar por jo edhe me 28 nuk kemi me festu, le ta mbajnë këta festën. I ftojë qytetarët t’i çelin sytë para kutive të votimit, se për këtë formacion që ka qenë më parë nuk i kisha votuar asnjë. Në të kundërtën, le të dalin dhe të mbizotërojë arsyeja, asnjë punëtorët e Trafikut Urban nuk ka me dalë te kutitë, familjet tona me mbet pa bukë. Po bllokohet Prishtina, po bllokohen shkollat e çerdhet. Ju lutem dilni dhe arsyetojeni veten, nëse nuk është këtu ne shkojmë kërkojmë kudo që është zgjidhja për ne”, tha Gashi.

Artikuj të tjerë

Lexo edhe për
Close
Back to top button