Më 6 qershor votohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete

Një ditë para ditës së zgjedhjeve në vendin tonë, shtetasit e Kosovës që jetojnë në 18 shtete të ndryshme të botës, do të mund të votojnë në përfaqësitë diplomatike të vendosura në këto shtete.

Kjo është hera e tretë që Kosova do të organizojë votimin fizik në një numër të madh të shteteve ku kryesisht është e përqendruar mërgata.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar për KosovaPress, se më 6 qershor do të hapen qendrat e votimit në 30 përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës për të mundësuar votimin e më shumë se 27,724 shtetasve të Kosovës, të cilët janë regjistruar dhe kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi, transmeton Klankosova.tv.

Më 6 qershor votohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata

“Më 6 qershor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, së pari votimi do të fillojë në ambasadën në Ankara dhe në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Europës. Në fund, votimi do të mbyllet ShBA dhe Kanada, ku do të hapen për votim ambasadat në Uashington dhe Otavë dhe konsullatat në Nju Jork dhe Toronto”, tha Elezi.

Ai ka shpjeguar edhe ndryshimet që kanë shoqëruar procesin e përcaktimit të përfaqësive diplomatike në të cilat do të zhvillohet votimi fizik. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, por ky numër është reduktuar në 30 pasi në 18 prej tyre numri i votuesve të regjistruar ishte nën 50.

Në 18 përfaqësi diplomatike nuk do të ketë votim

“Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ. Në përgjithësi, numri i votuesve të regjistruar në këto 18 përfaqësi diplomatike në të cilat nuk do të ketë votim fizik është më pak se 100. Të gjithë këta votues do të mund të votojnë përmes postës, proces i cili ka filluar më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor”, sqaroi Elezi.

Procesi i votimit më 6 qershor 2026 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi i votimit jashtë vendit zhvillohet para ditës së zgjedhjeve në Kosovë dhe është i ndarë në dy pjesë kryesore: votimin me postë, i cili ka filluar më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor. Numri i qytetarëve të regjistruar për këtë lloj votimi është rreth 105 mijë. Ndërkq, votimi fizik në përfaqësi diplomatike, organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor.

Artikuj të tjerë

Back to top button