Policia e Kosovës pas protestës se djeshme: Në komunikacion ka pasur vozitje të rrezikshme nga pjesëmarrësit, dhe kolona të gjata

Një protestë e qytetarëve është mbajtur mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta ka nisur rreth orës 21:00, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se situata gjatë tubimit ka qenë kryesisht e qetë dhe se nuk është raportuar për incidente të sigurisë.

Sipas Policisë, njësitë policore kanë monitoruar situatën dhe kanë menaxhuar sigurinë në zonë, ndërsa njëkohësisht kanë kontrolluar edhe rrjedhën e trafikut.

Rreth orës 23:30, pjesëmarrësit kanë nisur të shpërndahen në mënyrë të qetë. Megjithatë, një pjesë e tyre janë zhvendosur drejt bazës së EULEX-it, ku kanë vazhduar protestën për rreth 30 minuta.

Më pas, protestuesit janë kthyer në drejtim të Prishtinës dhe, me automjetet e tyre, kanë vazhduar të qarkullojnë në disa rrugë të kryeqytetit.

Policia ka thënë se gjatë këtyre lëvizjeve janë krijuar kolona në trafik dhe se disa drejtues automjetesh kanë kryer, sipas saj, vozitje të rrezikshme.

“Defilimet e tyre me vetura, përveç krijimit të kolonave në trafik, kanë kryer edhe vozitje të rrezikshme, madje edhe kanë shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por edhe për veten e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Për shkak të situatës në trafik, Policia ka ndërmarrë masa shtesë, duke përfshirë ndërprerjen dhe riorientimin e përkohshëm të qarkullimit në disa pjesë, me qëllim të shmangies së bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme.

Sipas Policisë, këto lëvizje kanë vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.

Policia ka theksuar se do të vazhdojë angazhimet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyrë demokratike dhe në përputhje me ligjet në fuqi.

“Njëkohësisht, do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj atyre që bien ndesh me ligjin dhe ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor”, thuhet në njoftim.

Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë protestave dhe lëvizjeve në trafik.

“Apelojmë që të kenë kujdes të shtuar, të mos dëmtojnë pronën publike e private, të respektojnë ligjet, e në veçanti rregullat në trafikun rrugor, sepse është interes i sigurisë së përgjithshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Artikuj të tjerë

Back to top button