Nënkryetarja e Prishtinës akuzon Hekuran Muratin për pengesë në realizimin e projektit për menaxhim të mbeturinave

Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po e pengon realizimin e projektit për menaxhimin e mbeturinave, për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes së kredisë me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW).

Në një konferencë për media, Musmurati ka prezantuar dokumentacionin dhe kronologjinë e projektit, i cili parasheh blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve për Prishtinën dhe komunat përreth.

Ajo ka thënë se projekti parasheh 4.1 milionë euro grant nga Qeveria Gjermane dhe 20 milionë euro kredi të butë, por marrëveshja ende nuk është nënshkruar, pavarësisht miratimit në parim nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2024.

Musmurati ka bërë të ditur se më 15 maj 2026, Kryeqyteti, ndërmarrja “Pastrimi” dhe KfW-ja i janë drejtuar ministrit Murati me kërkesë për përshpejtimin e procedurave, por, sipas saj, nuk kanë marrë përgjigje.

Ajo ka theksuar se ndërmarrja “Pastrimi” aktualisht ka vetëm 12 kamionë funksionalë për pastrimin e Prishtinës dhe ka kërkuar nga ministri Murati të japë shpjegime për mosnënshkrimin e marrëveshjes.

“Pse nuk po e nënshkruani? Pse po e bllokoni blerjen e 100 kamionëve e kontejnerëve për Prishtinën?”, ka deklaruar Musmurati.

Artikuj të tjerë

Back to top button