
Glauk Konjufca nesër do të dalë përpara trupit gjykues, në Gjykatën Themelore të Prishtinës
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të paraqitet në seancën e orës 09:30, në rigjykimin ndaj tij për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.
Por, Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën.



