
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj institucioneve në Ditën e Veteranëve të UÇK-së.
“Një ditë që duhet të ishte reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë. Për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri”, reagon OVL-UÇK.
Tutje, reagimi i tyre ashpërsohet duke kujtuar edhe bashkëpunimin me Listën Serbe në dëm të veteranëve.
“Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe. U toleruan deklarata fyese, përçmuese dhe linçuese ndaj veteranëve të UÇK-së. U lejua që luftëtarët të etiketohen, të poshtërohen dhe të trajtohen si barrë, pa asnjë mbrojtje shtetërore. Madje, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”. Kjo është një politikë e ftohtë, e qëllimshme dhe e organizuar kundër UÇK-së”, thuhet nga organizata.
OVL-UÇK thotë se edhe në Ditën e Veteranëve ata “nuk u kujtuan as simbolikisht”.
“Asnjë aktivitet shtetëror, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve nga institucionet. Kjo heshtje është qëndrim politik. Dhe ky qëndrim tregon se, fatkeqësisht, shteti po përpiqet të shkëputet nga lufta që e solli në jetë”, thuhet tutje.
“OVL UÇK ua rikujton institucioneve: Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti, as nga administrata, as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”, përfundon reagimi.


