Policia deklarohet për protestuesin e shoqëruar pas aksionit te MPB-ja

Lëvizja Revolta ka organizuar sot një aksion protestues para objektit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar rritje të transparencës në trajtimin e aplikimeve për shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Gjatë protestës, aktivistët vendosën pankarta në barrierat e sigurisë pranë ndërtesës së ministrisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj mungesës së informacioneve institucionale për qytetarët që presin përgjigje lidhur me aplikimet e tyre.
Në lidhje me zhvillimet gjatë protestës, zëdhënësi i policisë për kryeqytet, Enis Pllana, tha për Klankosova.tv se një pjesëmarrës në aksion është dërguar në stacion policor me qëllim të verifikimit të identitetit.
Sipas tij, pas përfundimit të procedurave të parapara ligjore dhe kryerjes së verifikimeve të nevojshme, personi në fjalë është liruar.



