
Policia e Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizimin me qen zyrtarë, një tender me vlerë të parashikuar prej 65 mijë eurosh, i cili ishte zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të E-Prokurimit, tenderi mbante titullin “Furnizim me qenë zyrtar”, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave kishte qenë 14 shtatori 2026. Njoftimi për anulimin e aktivitetit është publikuar më 23 shtator.
Dokumentet e tenderit tregojnë se Policia kishte planifikuar blerjen e 10 qenve zyrtarë, ndërsa kontrata kornizë ishte paraparë të zgjaste 12 muaj. Qentë do të dorëzoheshin në Njësinë K9 në Vrellë, ndërsa afati i furnizimit ishte përcaktuar në 30 ditë nga lëshimi i urdhërblerjes dhe pas testimit të tyre.
Në specifikimet teknike, Policia kishte kërkuar kryesisht qen të racave Malinois, i njohur si Pastor Belg, dhe Pastor Gjerman, ndërsa për racat më të vogla parashiheshin Springer Spaniel dhe Cocker Spaniel. Mosha e qenve duhej të ishte nga 10 deri në 18 muaj, ndërsa ata duhej të ishin të vaksinuar, të kontrolluar nga veterineri dhe të pajisur me certifikatë shëndetësore dhe mikroçip.



