Policia e Kosovës: Ne e kemi për detyrë mbarëvajtjen e sigurt të protestave, nuk kemi qëllimin ta ndalojmë apo pengojmë pjesëmarrjen e qytetarëve

Policia e Kosovës ka dalë me një reagim duke thënë se asnjëherë nuk e ka pasur qëllim të ndalojë apo pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë.

Ata thanë se për mbarëvajtjen e sigurt të protestës dhe për parandalimin e aksidenteve nga vozitjet e pakujdesshme, janë detyruar të ndërmarrin masa shtesë dhe të ndalojnë vozitjet e tilla.

“Policia e Kosovës, ashtu siç e ka bërë të ditur përmes njoftimit zyrtar të publikuar sot, e i cili i referohet protestës së mbajtur me datën 18.09.2026 në ora 21:00 në Prishtinë, se pas përfundimit të protestës nga disa persona ka pasur defilime me automjete, vozitje të rrezikshme, dalje mbi vetura, veprime këto të cilat kanë shfaqur rrezikim të pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në postimin e Policisë së Kosovës në Facebook.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së sigurt të protestës e cila u mbajt sot në ora 21:00 në Prishtinë, dhe me qëllim të mbarëvajtjes së trafikut, si dhe parandalimit të aksidenteve të mundshme nga vozitjet e tilla të pakujdesshme e të rrezikshme, të cilat kanë ndodhur mbrëmë deri në orët e vona pas mesnatës, sot Policia është detyruar që të ndërmarr masa shtesë në hyrje të rrugëve të kryeqytetit dhe të ndalojë vozitjet e tilla të rrezikshme, të cilat e rrezikojnë jetën e pjesëmarrësve në trafik”.

“Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë për qëllim që të ndalojë, apo të pengojë pjesëmarrjen në protestë e as të pengojë qarkullimin e automjeteve të cilat drejtohen sipas rregullave të trafikut, por ka për qëllim të ndalojë vozitjet e rrezikshme, dhe të gjithë ata që bien ndesh me ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor”.

Ata thanë sërish se e njohin të drejtën qytetare për protestë të qetë dhe demokratike.

Artikuj të tjerë

Back to top button