Profesori i ekonomisë: 300 milionë euro më shumë vetëm në letër, buxheti 2027 nuk ka rritje reale

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, ka thënë se buxheti i Kosovës për vitin 2027, ndonëse nominalisht paraqitet më i lartë se ai i vitit të kaluar, në terma realë nuk përbën rritje.

Ramosaj ka thënë se diferenca prej rreth 200 deri në 300 milionë euro në mes të buxhetit të vitit 2027 dhe atij të vitit të kaluar, sipas tij, neutralizohet nga inflacioni dhe rritja e çmimeve.

“Ata janë në të drejtën e vet kur e thonë, Qeveria që thotë se buxheti është rritur, por e jona kur i bëjmë analizë të pastër profesionale tregon se ky shtim i buxhetit për vitin 2027 figuron nominalisht pak më i lartë, për nja 200-300 milionë sesa buxheti i vitit të kaluar. Por, nëse e përkthejmë në terma realë, duke e parë edhe ndikimin e inflacionit, rritjes së çmimeve dhe dukurive të tjera variabile që ndikojnë që vetëm të fryhen shifrat në kuptimin nominal, tregon se ky buxhet, me këtë shkallë të inflacionit, nuk ka rritje në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar”, ka deklaruar Ramosaj në “Konfront” të KTV-së.

Sipas tij, inflacioni prej rreth 4 për qind është një prej faktorëve kryesorë që e bën rritjen nominale të buxhetit të duket më e madhe sesa është në realitet.

“Sepse ai inflacioni prej 4 për qind, nëse përkthehet në Produktin e Brendshëm Bruto, del ai 200 milionëshi apo 300 milionëshi që e llogarisin këta si rritje. Nga aspekti i masës, buxheti është relativisht i njëjtë”, ka thënë Ramosaj.

Ramosaj: Me buxhetin 2027, Qeveria po mundohet t’i mbulojë humbjet e mundshme nga inflacioni

Planifikimi që rreth 35 për qind e buxhetit të vitit 2027 të shkojë në subvencione dhe transfere, është përpjekje e Qeverisë për t’i mbuluar humbjet e mundshme si pasojë e inflacionit të lartë, ka thënë profesori i Ekonomisë, Berim Ramosaj.

Nga rreth 4.3 miliardë euro buxhet, më shumë se 1.4 do të shkojnë në subvencione dhe transfere, e mbi një miliard në paga dhe mëditje. Investimet kapitale janë po ashtu me 25 për qind apo mbi 1 miliard euro.

E sipas Ramosajt, çështja e investimeve kapitale duhet të shihet me kujdes pasi, siç ka thënë, shteti ka dështuar viteve të fundit t’i realizojë të gjitha planet për investime.

“Kjo tregon se edhe një miliardëshi, s’do të thotë se automatikisht do të ndodhë… Nëse e shohim nga përvoja këtu kemi pasur dështime”, ka thënë ai.

Duke e cilësuar si politikë të majtë ndarjen buxhetore për 2027, Ramosaj ka thënë se ndarja e gjysmës së buxhetit në subvencione, transfere dhe paga e mëditje, tregon për përpjekjen për ta rritur mirëqenien, bazuar në humbjet që mund të dalin nga inflacioni.

“Duke marrë parasysh shkallën e lartë të inflacionit, me këto shpenzime buxhetore me theks te shpenzimet publike dhe rritjen e kërkesës tregon se sado që ekziston një rritje e lartë e çmimeve dhe inflacionit, po mundohen me këtë buxhet të mbulojnë humbjet potenciale që do t’i kenë. I kanë llogaritur me rrogën e 13-të që të blejnë fuqinë blerëse të këtyre që kanë pagat fikse dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120… Esenca e këtij buxheti dhe kësaj politike ekonomike që bazohet në politikën e taksave dhe tatimeve, faktikisht politika fiskale, është e orientuar në rritjen e kërkesës së konsumatorëve, të rritjes së mirëqenies së qytetarëve duke u bazuar në humbjet që dalin nga rezultati i inflacionit ose rënies së fuqisë blerëse”, ka thënë ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button