Prokuroria dhe Policia me aksion në Isniq të Deçanit, gjenden shtatë bimë narkotike të kultivuara arrestohen dy persona

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, Policia e Kosovës ka zhvilluar të hënën në mëngjes një operacion policor në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësiti Antidrogë në Pejë, ndërsa gjatë aksionit janë arrestuar dy persona, të dyshuar për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll janë sekuestruar gjithsej shtatë bimë narkotike të kultivuara, 28.6 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me narkotikët.

Rasti është nën hetim nga organet kompetente.

Artikuj të tjerë

Back to top button