
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet R.H. dhe Q.H., nën dyshimin se kanë shitur kokainë në Mitrovicë.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi gjatë periudhës nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026.
Ata dyshohet se në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës, u kanë shitur personave të ndryshëm kokainë në sasi nga 0.22 deri në 0.50 gramë.
Gjatë kontrollit të kryer me urdhër, te të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë narkotike me peshë të përgjithshme 1.7 gramë, një mulli për bluarje, dy telefona mobilë dhe 1 mijë e 700 euro para të gatshme.
Prokuroria i ngarkon ata me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.Me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’u shqiptojë dënim sipas ligjit.



