
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, prokurorja e Prokurorisë Speciale ka komentuar edhe dëshmitë e të akuzuarve, duke i cilësuar ato si të pabesueshme dhe të ndërtuara.
Sipas saj, dëshmitë e Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë paraqitur në një formë të tillë që “do t’ua kishin zili edhe skenaristët dhe producentët e Hollivudit”.
Sipas saj, Naim Murseli në mbrojtjen e tij është përpjekur ta paraqesë veten si një person human dhe të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Ai ka deklaruar se, pas njohjes me Granit Plava, kishte filluar t’i japë para këtij të fundit me arsyetimin “që t’i gjindem”.
Megjithatë, prokuroria vuri në dukje se gjatë shqyrtimit gjyqësor, Murseli nuk ka ofruar shpjegim bindës për faktin se si një person, të cilin pretendon se e kishte ndihmuar vazhdimisht, do të mund të kryente vrasjen e bashkëshortes së tij pa ndonjë arsye.
Një tjetër element që, sipas prokurorisë, ngrit dyshime serioze është edhe mospërputhja në deklarimet e tij. Nga njëra anë, ai ka thënë se personi që i doli para veturës në momentin kritik ishte i maskuar, ndërsa nga ana tjetër e identifikon drejtpërdrejt Plavën si autor të veprës.
Prokurorja theksoi gjithashtu se, sipas provave të paraqitura, në ditën kritike kur ndodhi vrasja, i akuzuari kryesor kishte kaluar kohë me Plavën dhe në atë rast dyshohet se i kishte siguruar edhe armën – revolen – me të cilën më pas u krye vrasja.



