Radoniqi: Nga 10 mijë 606 komisionerë, vetëm 35.47% janë gra

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur statistika për përbërjen gjinore të komisionerëve apo anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që do të angazhohen në zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.

Radoniqi ka treguar se nga 10 mijë e 606 komisionerë, vetëm 3 mijë e 763 janë gra.

“Nga 10,606 anëtarë të këtyre këshillave, 64.53% e tyre apo 6,843 janë burra, ndërkaq 35.47% apo 3,763 janë gra. Përqindje të pjesëmarrjes së grave në trupat zgjedhore të njëjtë kemi pasur edhe në zgjedhjet lokale të para dy muajve. Nga 14,353 anëtarë, 63.24% apo 9,077 ishin burra, ndërkaq 36.76% apo 5,276 ishin gra”, tregoi Radoniqi.

Radoniqi i bëri këto komente gjatë tryezës “Barazia gjinore në proceset zgjedhore – Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore”, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ku pjesëmarrës ishin dhe ambasadori i Francës, Olivier Guérot dhe shefi i OSBE-së, Gerard McGurk.

Gjithashtu, Radoniqi rikujtoi se KQZ-ja ka përmbyllur certifikimin e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe sipas të dhënave, nga 1,180 kandidatë, 789 (66.86%) janë burra, ndërkaq 391 (33.13%) janë gra.

Radoniqi theksoi rolin e KQZ-së në përfaqësimin gjinor në proceset zgjedhore dhe sipas tij, KQZ-ja është e përfshirë drejtpërdrejt në dy dimensione: në zbatimin dhe garantimin e kuotës minimale prej 30% për pjesëmarrje dhe përfaqësim gjinor, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi dhe në përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve.

“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ-ja nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e këshillave të vendvotimeve. Megjithatë, në aktin nënligjor për themelimin dhe përbërjen e këshillave të vendvotimeve, KQZ-ja ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, tha Radoniqi.

Artikuj të tjerë

Lexo edhe për
Close
Back to top button