Rregulla të reja për Kupën e Botës 2026, FIFA konfirmon ndryshime të rëndësishme

Kupa e Botës 2026 pritet të sjellë një sërë ndryshimesh të rëndësishme në rregulloren e lojës, me synimin për të luftuar humbjen e kohës dhe për ta bërë futbollin më dinamik dhe më të drejtë. Rregullat e reja janë konfirmuar dhe do të aplikohen në turneun më të madh të futbollit në botë.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rivëniet anësore. Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda kohë për ta rifilluar lojën dhe çdo vonesë e qëllimshme mund të sjellë humbjen e posedimit, me rivënien që i kalon ekipit kundërshtar.
Po ashtu, edhe portierët do të jenë nën vëzhgim më të madh. Në rast se ata ose lojtarët e tjerë vonojnë qëllimisht rinisjen e lojës, arbitri mund të ndëshkojë ekipin duke akorduar një goditje nga këndi për kundërshtarët.
Ndryshime të rëndësishme do të ketë edhe te zëvendësimet. Futbollistët që largohen nga fusha duhet ta bëjnë këtë brenda 10 sekondave dhe në pikën më të afërt. Nëse nuk respektojnë afatin, lojtari zëvendësues nuk do të lejohet të futet në lojë për të paktën një minutë, duke e lënë ekipin përkohësisht me një lojtar më pak.
Një tjetër risi prek trajtimin mjekësor. Lojtarët që marrin ndihmë nga stafi mjekësor do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë, megjithëse përjashtime do të ketë për portierët dhe situata të caktuara disiplinore.
Në aspektin disiplinor, FIFA ka vendosur që lojtarët që mbulojnë gojën gjatë përballjeve ose debateve me kundërshtarët mund të ndëshkohen deri edhe me karton të kuq.
Ndërkohë, teknologjia VAR do të ketë kompetenca të reja. Ajo do të mund të kontrollojë nëse një goditje nga këndi është akorduar saktë, me kusht që verifikimi të kryhet përpara rifillimit të lojës. Gjithashtu, do të ekzistojë mundësia e rishikimit të rasteve kur një futbollist përjashtohet pas marrjes së kartonit të dytë të verdhë.
Këto ndryshime pritet të kenë ndikim të madh në mënyrën se si zhvillohet loja, ndërsa FIFA synon të reduktojë humbjen e kohës dhe të rrisë drejtësinë në fushë gjatë Kupës së Botës 2026.



