RrGK njofton se nesër do mbahet protesta e radhës kunder vrasjes së grave, këto janë tri kërkesat

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën kundër vrasjes së grave, me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, e cila do të mbahet nesër, më 25 nëntor, në Prishtinë.

Protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku pjesëmarrëset do të kërkojnë drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.

Përmes kësaj proteste, kërkojmë:

Ndryshimin e Kodit Penal dhe përkufizimin e femicidit si vepër penale të veçantë, duke njohur motivin gjinor dhe kontekstin e dhunës që mund t’i paraprijë vrasjes së një gruaje.

Krijimin e mekanizmit Femicide Watch, për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për vrasjet e grave, identifikimin e mundësive të humbura për ndërhyrje dhe adresimin e përgjegjësive institucionale.

Buxhetim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e grave, përfshirë strehimoret, linjën telefonike emergjente, qendrat për trajtimin e rasteve të dhunimit seksual dhe shërbimet e tjera të specializuara.

Miratimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit, me mekanizma funksionalë, koordinim ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë gratë.

Përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk mund t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje. Institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë para se të jetë tepër vonë” – thuhet ndër tjerash në njoftimin e tyre

Artikuj të tjerë

Back to top button