SHBA: Kosova në nivelin e dytë të rrezikut, të keni kujdes të shtuar nga udhëtimet në veri

Departamenti amerikan i Shtetit ka përditësuar më 25 gusht këshillën për udhëtimet në Kosovë, duke u rekomanduar qytetarëve amerikanë të ushtrojnë kujdes të shtuar për shkak të rrezikut nga trazirat dhe terrorizmi.

Kosova vazhdon të jetë në nivelin e dytë të rrezikut – “Ushtroni kujdes të shtuar”, ndërsa pjesa veriore është vendosur në nivelin e tretë – “Rishqyrtoni udhëtimin”.

Në njoftim thuhet se protestat e lidhura me situatën politike mund të organizohen pa paralajmërim dhe të shkaktojnë ndërprerje në transport dhe shërbime të tjera thelbësore.

Departamenti i Shtetit paralajmëron gjithashtu për rrezikun nga dhuna terroriste dhe aktivitetet e tjera të lidhura me terrorizmin në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.

Qytetarëve amerikanë u rekomandohet ta rishqyrtojnë udhëtimin në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për shkak të rrezikut nga trazirat.

Sipas këshillës, tensionet etnike në këto zona mund të çojnë në trazira të dhunshme civile, ndërsa demonstratat mund të zhvillohen me pak paralajmërim.

SHBA-ja thekson se ka mundësi të kufizuara për t’u ofruar shërbime emergjente qytetarëve të saj në veri të Kosovës. Për këtë arsye, udhëtimet e punonjësve të Qeverisë amerikane në katër komunat veriore janë të kufizuara.

Qytetarëve që vendosin të udhëtojnë në Kosovë u rekomandohet të regjistrohen në programin STEP, t’i shmangin demonstratat dhe turmat, t’i përcjellin mediat lokale dhe të përgatisin një plan për largim në rast emergjence që nuk varet nga ndihma e Qeverisë amerikane.

Artikuj të tjerë

Back to top button