Shqipëri: 14 vatra zjarri në 12 orët e fundit, pesë vijojnë të jenë aktive

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të monitorohet nga strukturat e emergjencave, ndërsa gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave 5 mbeten ende aktive.

Për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 182 forca operacionale, 19 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 1 avion i Forcës Ajrore, transmeton Klankosova.tv.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrjet janë përqendruar në disa zona problematike, përfshirë Dajtin, fshatin Riban në Mallakastër, Shqiponjën në Prrenjas, Vërzhezhën në Skrapar, Krekëzin në Himarë, si dhe zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull.

Në Riban të Mallakastrës, falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri, është eliminuar rreziku për zonat e banuara. Si masë parandaluese, 15 familje u evakuuan përkohësisht.

Nga vatrat e zjarrit të shuara janë prekur rreth 1.5 hektar sipërfaqe me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa dëmet nga vatrat aktive vijojnë të jenë në proces vlerësimi.

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve për menaxhimin e zjarreve në të gjithë territorin.

Artikuj të tjerë

Back to top button