
Çmimi maksimal i naftës në Kosovë është rritur sërish, duke arritur në 1.80 euro për litër
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës të martën është rritur me 2 centë krahasuar me një ditë më parë, kur një litër kushtonte 1.78 euro.
Ndërkohë, çmimet e benzinës dhe të gazit kanë mbetur të pandryshuara. Benzina vazhdon të shitet me çmim maksimal prej 1.50 euro për litër, ndërsa gazi me 0.60 euro për litër.
Pavarësisht rritjes së fundit, çmimi aktual mbetet më i ulët se rekordi i regjistruar më 9 prill, kur një litër naftë arriti në 1.91 euro, niveli më i lartë që nga fillimi i tensioneve në Lindjen e Mesme.
Pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kishin shënuar rënie. Megjithatë, rifillimi i sulmeve dhe mbyllja e përsëritur e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore për transportin global të naftës, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, zhvillim që po reflektohet edhe në tregun e Kosovës.


