Sindikalistët e KEK-ut anulojnë protestën e nesërme: Do të kontribuojmë në Task-Forcë

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës e ka anuluar protestën e paraparë për të mërkurën.

Kjo sindikatë, ka protestuar gjatë së martës, derisa vazhdimin e ketij veprimi sindikal e kishin paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.

Mirëpo, në një njoftim për media, kjo sindikatë ka bërë të ditur se kontributin e saj do ta vazhdojë në kuadër të Task-Forcës, që do të krijohet lidhur me situatën në KEK, pas vdekjes së disa punëtorëve.

Një vendim të tillë, sipas sindikatës, e kanë marrë me vlerësimin se në këtë moment kërkohet përgjegjësi dhe maturi.

“Pas takimeve të djeshme me Menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, Sindikata e Re ka marrë vendim që të kontribuojë në Task-Forcë, për të mirën e punëtorëve dhe KEK-ut. Ky angazhim është një dëshmi se Sindikata e Re është e gatshme të marrë përgjegjësi, të bashkëpunojë dhe të kontribuojë për të mirën e përgjithshme të punëtorëve.

“Mesazhi që dhamë sot në protestën në Prishtinë ishte i qartë. Besojmë se serioziteti dhe sinqeriteti i Sindikatës së Re në mbrojtje të punëtorëve është kuptuar nga të gjithë. Kryesia ka vendosur që në javët që vijnë të mbajë takime me kryesitë e tri divizioneve.”, thuhet në njoftim.

Artikuj të tjerë

Back to top button