
Infermieri Enlirat Duraku i është drejtuar me një letër të hapur Komisionit Disiplinor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke kërkuar shqyrtimin e veprimeve të drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, lidhur me një denoncim të bërë ndaj një infermiereje të kësaj klinike.
Në letrën e tij, Duraku kërkon që Komisioni Disiplinor ta shqyrtojë rastin me seriozitet dhe të verifikojë bazën mbi të cilën është bërë denoncimi ndaj infermieres, për të cilën pretendon se ishte akuzuar për vjedhje të klipave.
Sipas Durakut, organizatat që kanë për mision mbrojtjen e të drejtave të infermierëve dhe Divizioni për Infermieri nuk kanë arritur ta mbrojnë infermieren në fjalë, duke e lënë atë, siç shprehet ai, të përballet e vetme me akuzat.
“Duke qenë se organizatat që mbrojnë të drejtat e infermierëve kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre, kështu duke e lënë infermieren e Klinikës së Neurokirurgjisë që e vetme të përballet me akuza të pabaza”, thuhet në letrën e Durakut.
Ai gjithashtu shpreh kritika ndaj Divizionit për Infermieri, duke pretenduar se ky divizion “me apo pa qëllim” ka dështuar të mbrojë integritetin profesional të infermieres.
Duraku pretendon se, bazuar në rrethanat e rastit dhe në vendimin e gjykatës kompetente, infermierja është shpallur e pafajshme.
Sipas tij, nga rasti është konstatuar se denoncimi ishte bërë pa prova konkrete dhe pa fakte të mjaftueshme për të dëshmuar përgjegjësinë e infermieres.
Ai thekson se një akuzë e tillë, veçanërisht ndaj një punëtori shëndetësor, mund të ketë pasoja në reputacionin profesional, dinjitetin dhe marrëdhëniet e punës.
Për këtë arsye, Duraku i kërkon Komisionit Disiplinor të QKUK-së që të verifikojë disa çështje lidhur me rastin.
Ndër të tjera, ai kërkon të shqyrtohet: baza faktike mbi të cilën është bërë denoncimi; nëse drejtori Besnik Elshani ka pasur prova konkrete për pretendimin e ngritur; nëse janë respektuar procedurat institucionale gjatë paraqitjes së denoncimit;
nëse ndaj infermieres është shkaktuar dëm profesional apo reputacional.
Në letrën e hapur, Duraku kërkon që, nëse pas shqyrtimit konstatohet se denoncimi është bërë me vetëdije i rremë, pa fakte, pa prova apo në kundërshtim me rregullat dhe përgjegjësitë profesionale, ndaj drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë të ndërmerren masat e parapara disiplinore.
“Qëllimi nuk është paragjykimi i përgjegjësisë së askujt, por garantimi i një procedure të drejtë, mbrojtja e punëtorëve nga akuzat e pabazuara dhe ruajtja e integritetit profesional brenda QKUK-së”, thuhet në letrën e tij.
Duraku kërkon që rasti të trajtohet në mënyrë objektive dhe transparente, në përputhje me procedurat dhe aktet institucionale në fuqi.
Letra është adresuar te Komisioni Disiplinor i QKUK-së, ndërsa deri në publikimin e këtij shkrimi nuk është përfshirë ndonjë qëndrim i drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, lidhur me pretendimet e ngritura në letrën e hapur.



