U përfol se ka dhënë shumë para për t`u bërë deputete, Jetullahu i kërkon llogari gazetarit Hoxha: Kërkoj nga ai të publikojë fakte

Kandidatja për deputete e LDK-së, Alisa Jetullahu, ka reaguar pasi është përfolur se ka dhënë para të shumta për t`u bërë deputet.
Ajo ka kërkua nga kryeredaktori i ATV-së, Leart Hoxah, i cili e ka akuzuar se ka dhënë 250 mijë euro, që t`i prezantojë faktet.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka mohuar se e ka shpenzuar kaq shumë para.
“Në një emision, gazetari Leart Hoxha, kryeredaktor në ATV, deklaroi se ai e di një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth “çerek milion euro” për t’u bërë deputete. Si gazetar, e veçanërisht si kryeredaktor në një medium jo të vogël, ai, derisa supozohet se i mëson gazetarët e deskut të tij se duhet për secilin informacion të kenë faktim të deklarimeve e për më tepër nga dy-tre burime dhe se duhet të jenë konkret, preciz, të saktë e të qartë, vetë Hoxha në deklaratë nuk u tregua as konkret, as i saktë, as preciz e as i qartë. Por, derisa emër nuk përmendi, kjo deklaratë për mua nuk nënkuptonte asgjë, përveç njohje të faktit se gazetaria më të vërtetë sot ka probleme, kur një kryeredaktor flet pa të dhëna konkrete në emision”, ka shkruar ajo, duke e ftuar gazetarin Hoxha që t`i prezantojë faktet.
“E kjo çfarë po them unë nuk është viktimizim. Ky është fakt. E di çdo grua. E di edhe unë. Pikërisht se e di kam dashur të futem në politikë që të lëvizë një gur, sado të vogël, në përmirësimin e këtyre statistikave që për gratë nuk janë veç të dhëna, por jetë e vështirë e përditshme. Tani, kërkoj nga Leart Hoxha, ta konkretizojë deklarimin e tij. Ta thotë me emër se a bëhet fjalë për mua në atë çfarë ai e tha si thashethem në studio. Kërkoj nga ai të publikojë fakte, të dhëna. Të përmend emra. Dhe këto t’i bëjë në publik vullnetshëm, sepse në Gjykatë do të jetë i detyruar, pasi unë, në momentin që ai e konkretizon se e kishte për mua, do të procedojë me padi për shpifje”, ka shkruar ajo.



