Pezullimi i dialogut shkaku i tij, Kurti thotë se nuk është prishur me Amerikën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se nuk janë prishur me Amerikën, por që sipas tij, mes tyre ka dallime.

“Ne duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, u shpreh Kurti.

Përgjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Kurti thotë se deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane në Kosovë i trajtojnë seriozisht.

Sipas Kurtit, Kosova dhe ShBA kanë dallime në fushën e diplomacisë, por megjithatë, sipas tij, shpesh nuk bien ndesh në mendime të njëjta.

“I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane. Përgjatë mandatit tonë jemi munduar që raportet dhe partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të forcohet në tri shtylla kryesore, diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime, dhe ato kanë të bëjnë shumë shpesh me qëndrimet tonë në raport me Serbinë, dhe veprimet ndaj strukturave të saj ilegale në Kosovë”, u shpreh kryeministri në detyrë.

“Përderisa pajtohemi për interesa, vlera e qëndrime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, pa dyshim se ka ecje substanciale në dy shtylla të tjera”, tha Kurti mes tjerash.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button